Tuesday, 14 July 2015

IDENTITETI FETAR I SHQIPTARËVE

 feha ne shqiperi
 Feja ka qenë dhe mbetet një temë madhore për mendimin njerëzor. Ndjenja fetare është instinkt i natyrshëm i njeriut dhe ai u shfaq që nga kohët më të lashta...

“Askush s’mund ta kuptojë njerëzimin pa kuptuar së pari fenë e tij, sepse feja përfshin jetën e njeriut prej kohës më të lashtë”.
(Ninuan Suart)

            Feja ka qenë dhe mbetet një temë madhore për mendimin njerëzor. Ndjenja fetare është instinkt i natyrshëm i njeriut dhe ai u shfaq që nga kohët më të lashta. Ernest Renana në librin e tij “Histo­r­ia e feve”, thotë: “Mund të ndodhë të pakësohet çdo gjë që ne dëshirojmë, të dobësohet mendja, të sta­gnojë shkenca dhe të menduarit, të zvogëlohet entu­ziazmi i njeriut për përdorimin e lirive të nje­ri­ut. Mirëpo është e pamundur të përfytyrojmë mënjanimin e fesë në shoqëri apo pezullimin e dukurisë së bindjes fetare. Këtë më së miri e vërtetoi dështimi i materializmit që nuk pati sukses të bindë shoqë­rinë me teoritë dhe konceptet e tij, sepse njeriu me instinktin e tij të natyrshëm orvatet të ngrihet mbi botën e materies, të plotësojë ne­vo­jat e tij shpirtërore dhe intuitive. Besimi i sjell njeriut qetësinë, i zvo­gë­lon streset, tenton ta pajtojë me realitetin, sado i hidhur qoftë ai, i ushqen shpresën për diçka më të mirë, e largon nga hakmarrja, i for­con mbi të gjitha ndjenjën e drejtësisë, duke goditur egoizmin, buri­min e të gjitha të këqijave sociale”.
            Hulumtimet dhe studimet e fesë tek ne janë ende në shkallën fille­s­ta­re. Aty-këtu kemi ndonjë vlerësim më tepër në nivel intuitiv, sipas njohurive të pakta dhe sipërfaqësore, shpeshherë edhe të ngar­kuara me përcaktime e vlerësime ideologjike, politike e fetare, pa ndonjë shqyrtim ndërdisiplinor dhe shkencor.[1] Kjo edhe sot e vështirëson vlerësimin fetar të popullit shqiptar, në këtë gjendje të ndërlikuar politike, ekonomike, sociale, kulturore e fetare. Vlen të theksohet se ndër shqiptarët deri më tash bartëset e vetme të jetës fetare janë bash­kë­sitë fetare, qofshin ato islame apo të krishtera. Institucionet e tjera kombëtare deri tani nuk kanë treguar ndonjë interesim të veçantë ndaj fesë dhe avancimit të saj. Për këtë arsye, vetiu shtrohet pyetja: Çfarë roli a rëndësie ka pasur dhe duhet të ketë feja te populli shqi­p­tar? Kjo do shikuar nga shumë këndvështrime, në radhë të parë nga ai historik, sociologjik, psikologjik, kulturor dhe moral. “Askush s’mund ta kuptojë njerëzimin pa kuptuar së pari fenë e tij…, sepse feja përfshin jetën e njeriut prej kohës më të lashtë”.

            Roli i fesë ndër shqiptarët

            Nëse i hedhim një vështrim rolit të fesë ndër shqiptarët, do të shohim se feja ka luajtur rol pozitiv gjatë historisë. Për këtë, meritë të veçantë kanë prijësit e fesë, të cilët ishin në nivel të misionit të tyre dhe nuk lejuan keqinterpretimin e parimeve fetare. Bashkekzistenca par exe­lle­nce trikonfesionale ndër shqiptarët, e verifikuar ndër shekuj, me një ekumenizëm dhe dialog shembullor, është shtyllë e qytetërimit shqi­p­tar. Multikonfesionaliteti është një proces i përfunduar historik, prandaj shqiptarët evropianë nuk kanë drojë se mund të balla­fa­qo­hen me “thyerje” të reja dhe “konvertime” fetare. Fun­dja, për shqip­tarët trikonfesionaliteti paraqet një begati të trashë­gimisë shpirtërore dhe mendore. Nuk mund të mohohet roli i kulturës kristiane në kri­jimin dhe ruajtjen e individualitetit shqiptar të kul­turës dhe gjuhës, siç nuk mund të mohohet roli i kulturës islame në ruajtjen e qenies kolektive shqiptare. Prandaj, përkatësia fetare tradicionale ndër shqiptarët duhet konsideruar si vlerë qytetëruese, kulturore, por edhe kombëtare, e cila duhet kultivuar e avancuar në të gjitha sht­re­s­at e popullatës dhe për këtë kontributin e tyre duhet ta japin të gjitha institucionet tona kombëtare.
            Nuk ka dyshim se sundimi gjysmëshekullor komunist te shqiptarët dëmtoi në një masë të madhe çështjen fetare, sidomos në Shqipëri. Për këtë shkak, me fillimin e procesit të demokratizimit të saj, aty nxituan misionarë nga të gjitha anët e botës, sepse mendonin se Shqi­p­ëria ishte terren i përshtatshëm për përhapjen e propagandës fetare, sepse aty shqiptarët e në mënyrë të veçantë rinia, kishin humbur ide­ntitetin fetar gjatë periudhës së diktaturës së regjimit komunist, i cili bënte shpëlarjen e trurit nga besimet fetare, duke edukuar popullin në frymën ateiste.
            Feja është trajtuar si formë e vetëdijes konservatore e reaksionare, si “opium për popullin” dhe si e tillë, është luftuar në mënyra të ndry­shme, duke varfëruar shpirtësinë e njeriut. Për fat të keq, kjo fry­më ateizmi ishte përhapur edhe në Kosovë, në mënyrë të veç­antë, mes intelegjencës. Në këtë mënyrë, ateizmi iu hakmor popullit shqiptar dhe po i hakmerret edhe sot e kësaj dite. Ende janë të freskëta pamjet e vërshimit të ambasadave të huaja në Tiranë, si dhe fluksi i madh i re­f­u­gjatëve shqiptarë, dëshira e vetme e të cilëve ishte të largoheshin nga Shqipëria dhe të merrnin botën në sy.
  Cili është identiteti fetar i shqiptarëve?

            Shqiptarët gjatë historisë së tyre të gjatë nuk kanë treguar ndonjë lloj fanatizmi të tepruar për përkatësitë e tyre fetare. Ata tradicionalisht ishin tolerantë në aspektin fetar. Këtë e kanë vërtetuar edhe shumë autorë të huaj, të cilët janë marrë me çështjen shqiptare. Ky realitet vihet në pah edhe në kohët e sotme. Në një raport të Grupit Ndër­kombëtar të Krizës, me titull “Feja në Kosovë”[4] të 31 janarit 2001, rreth rolit të fesë në konfliktin në Kosovë, përveç të tjerash, thuhet: “Shqiptarët e Kosovës nuk e identifikojnë identitetin e tyre fetar nëpërmjet përkatësisë fetare, por atë e bëjnë nëpërmjet gjuhës dhe kanë një qasje relativisht qetësuese kundruall formave dhe vepri­me­ve të fesë islame. As prijësit e fesë islame dhe as feja islame nuk kanë luajtur ndonjë rol vendimtar gjatë tetë vjetëve të fushatës së rezi­ste­n­cës paqësore, gjatë okupimit të regjimit serb apo rezistencës së armatosur të viteve 1998-99. Islami politik apo fundamentalizmi soci­al, terma këto që përmenden me respekt në Lindjen e Mesme, kanë një ndikim shumë të vogël në Kosovë”.
            Në anën tjetër, imazhi i serbëve të Kosovës paraqitet nëpërmjet pano­r­a­mave të manastireve dhe kishave ortodokse serbe.
            Një pjesë e intelegjencës shqiptare, duke u mbështetur në paragj­yki­m­et që Perëndimi kishte në të kaluarën ndaj Islamit, disi hezitojnë të shprehin identitetin e tyre fetar islam. Sa për ilustrim, presidenti i Ko­s­o­vës, dr. Ibrahim Rugova, i cili përfaqëson unitetin e një populli me mbi 95% muslimanë, deklaron se ai simbolikisht është musliman dhe sillet vazhdimisht brenda një “universi simbolik” kristian. Në këtë aspekt, duhet kuptuar edhe formimi i Partisë Demokristiane, të vetmes parti me konotacion fetar, edhe pse shumica e anëtarësisë së saj janë të besimit islam. Në këtë vazhdë, duhen kuptuar edhe paraqitjet e liderëve partiakë, si dhe të disa intelektualëve në faqet e shtypit tonë me deklarime, si: “Do t’i jap Tiranës shkëlqim perë­ndim­or”, (Besnik Mustafaj, me rastin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri, “Bota sot”, 28/8/2000); Sami Repishti: “Krish­tërimi, pararojë e hyrjes së shqiptarëve në Evropë”. (Drita, nr. 2-3, 149-150, viti XXIII); “Me PSHD-në në Evropë”, me rastin e zgjedhjeve lokale të PSHD-së në Kosovë; “Vetëm Perëndimi mund t’i nxjerrë në dritë vlerat tona ko­m­b­ëtare”, dr. Engjëll Sedaj, (“Opinioni i tretë”, nr. 4, 29/9/2000); “Se­lia e Shenjtë shqiptarët i konsideron perëndimorë” (Opinioni i tretë, nr. 3, 22/9/2000); “Nga të gjitha gjërat që ka krijuar Zoti, më e madhja ishte Nënë Tereza”, (Bota sot, 27/8/2000); “Krishtërimi, identitet shqiptar”, (Rilindja, 4 janar 2001); “Në Prishtinë të ngrihet katedralja e identitetit tonë”, (Rilindja, 24 mars 2001); “Ku është kisha jonë?”, (Ali Podrimja, “Gazeta e Re”, 28 janar 2001); “Shq­ip­ta­r­ët janë popull perëndimor”, (Qerim Ujkani – “Interesi nacional”, nr. 8, 12 nëntor 2001), etj.
            Në anën tjetër, kur në shtypin tonë shkruhet për Islamin, fesë së cilës i përkasin shumica dërrmuese e shqiptarëve, ku nuk vërehen kurr­fa­rë shenjash të ndonjë ekstremizmi, hasim në titujt si vijon: “Islami kulturë a rrezik?” (Java, nr. 36, 13 fruer 2003); “Tradhtitë ndaj shtetit shqiptar”, (dr. Kajmak H. Deda, “Opinioni i tretë”, nr. 16, 3 tetor 2001), “Rreziku i afërm i shqiptarëve muhamedanë”, (“Fjala e lirë”, janar 1996); “Fundamentalizmi islamik në Ballkan”, (Stefan Shfarc, “Kombi”, 20 tetor 2000); “Kërcënimi islam për Shqipërinë”; “Bijtë e rinj të Allahut”; “Bij të ndarë të Allahut”, (Revista “Klan”, Tiranë); “Konaqet e Bin Ladenit” (“Bota sot”) etj.
            Nga këta pak shembuj që përmenda, mund të sjellim përfundimin se në momentin aktual, fetë tona nuk kanë një trajtim të barabartë, si rezultat i faktorëve të jashtëm. Jemi dëshmitarë se shprehja publike e identitetit fetar të njerëzve publikë, qoftë në Kosovë, Shqipëri, Maqe­doni, Mal të Zi apo në diasporë, vlen vetëm për ata të për­katësisë së krishterë e jo edhe për ata të përkatësisë islame. Sa për ilustrim mu­nd të marrim kryeministrin e Shqipërisë, Fatos Nano. Atë asgjë nuk e pengon që ta bëjë martesën në kishë para kryepeshkopit të Kishës Or­t­odokse, Janullatos. Ndërsa deri më sot nuk dimë se ndonjë nga figurat publike me përkatësi islame të ketë ma­rrë pjesë së paku në një ceremoni fetare islame. Në Kosovë disa nga figurat publike pra­k­t­i­kojnë pjesëmarrjen në mesha me rastin e festave të Kishës katolike, por jo edhe në xhami me rastin e faljes së namazit të Bajramit.
            Në anën tjetër, nëse dikush nga intelektualët tanë merr pjesë në ndonjë ceremoni fetare islame, gjë që është e drejtë e çdonjërit, për fat të keq, ai bëhet objekt talljeje nga ana e shtypit tonë. Ky akt tregon nivelin e ulët të kulturës së një pjese të inteligjencies sonë. Sa për ilustrim, po përmend vetëm dy shkrime: “Lulet e verdha të Xhen­etit”, (Bujku, tetor 1995), ku kritikohen disa poetë për pjesë­ma­rr­je në një iftar, si dhe shkrimi i Mehmet Krajës “Miqtë e mi pele­grinë”, (“Koha ditore”, 23 shkurt 2002).
            Këtu vlen të përmendim se Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan i kishte bërë vërejtje senatores së Nju Jorkut, Hillay Klinton, lidhur me komentet e saj ku kishte përmendur mbrojtjen amerikane të “musli­m­anëve të Kosovës”, si fakt se SHBA nuk është në luftë me Botën Islame. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan zonjës Klinton i ki­sh­te shkruar: “Në Kosovë dhe më gjerë ka shqiptarë që janë katolikë, ort­odoksë, hebrej dhe muslimanë. Prandaj, shqiptarët nuk e iden­ti­fi­ko­jnë veten nga ndonjë religjion, por sipas etnitetit të tyre”.

            Në vend të përmbylljes

            Nga e gjithë kjo që u tha mund të nxjerr këto konkluzione:
E para: Inferioriteti i të qenit musliman është një psikozë me synime të dëmshme, si në aspektin fetar, ashtu edhe në atë kombëtar. Pran­d­aj është koha e fundit që inteligjenca jonë të lirohet nga ky kompleks që i është imponuar për shkak të mosnjohjes së mjaftueshme me vle­rat e larta që predikon Islami.
            E dyta: Tek shumica e intelektualëve tanë, Islamizmi identifikohet si fe e Lindjes. Ata harrojnë se edhe Krishtërimi e ka burimin në Lindje. Të dyja fetë, në mënyrën e tyre, shprehin të njëjtën gjë: të mos i gjunjëzohemi askujt përveçse Zotit; njeriu të dojë njeriun, të ndry­sho­jë egoizmin vetjak, të mos cenojë lumturinë e të tjerëve dhe t’i japë paqe e begati njerëzimit.
            E treta: Ne muslimanët shqiptarë duhet të jemi krenarë për përka­të­sinë tonë fetare. Nga radhët e hoxhallarëve tanë kanë dalë jo pak patriotë për fatet e kombit, midis të cilëve mjafton të përmendim muderriz Ymer efendi Prizrenin, kryetar i Lidhjes së Prizrenit dhe Haxhi Vehbi Dibrën, i cili më 1912 u zgjodh kryetar i Pleqërisë, organ konsultativ në ndihmë të Qeverisë së Vlorës, me të drejtë të zëvendë­sonte kryeministrin Ismail Qemali kur mungonte.
            E katërta: Ne shqiptarët duhet të kuptojmë se ushtrojmë besimin is­lam në Evropë, të rrethuar nga shtete kristiane, gjë që na detyron të jemi përfaqësues të denjë të besimit islam.
E pesta: Publiku evropian dhe ai perëndimor e kupton sot fenë në mënyrë demokratike, prandaj, nëse edhe ne e kuptojmë fenë dhe rol­in e saj në shoqëri në mënyrë të qytetëruar, nuk duhet të krijojmë inferioritet ndaj Evropës për cilëndo fe tonën.
            Nga gjithë sa u tha, besoj se intelektualët tanë, në të ardhmen, çësh­tjes së identitetit fetar dhe atij islam në veçanti, do t’i qasen me një maturi dhe në mënyrë më shkencore.
Share:

0 σχόλια:

Post a Comment

Powered By facebook.com

syri3. Powered by Blogger.

Categories

SHKENCA MISTIKA FILOZOFI HISTORI MEDITIME RELIGJONE fizika gastronomia KRISTIAN PARAPSIKOLOGJIA Universi gjenetika ushqime ushqime te shendeteshme ushqime-bio EZOTERIZEM Egjipt Enigma HËNA MENDJA MIRQENIEN MENDORE RACA NJERËZORE SKENDERBEU TOKA TRURI energjia forca e trurit galaktikat ideologjia krishterimi makrobiotika misteri shkenctaret shëndet syri-trete syritrete Ajnshtajn Anikunit Atomet BIMËT NË SHËRBIM TË NJERIUT Bota Islame EZOTERIK Egjiptit të lashtë Elektronet FITOTERAPIA FLIJIMI Flijimi i virgjëreshave Fshati që u zhduk Gjergj Kastrioti HIEROGLIFET Jeta KALENDAR KASTRIOTET KULTURË SHQIPTARE Karbohidratet Kodi i Da Vinçit Lashtësia Luleshurdha Mjedise OKULTE OKULTIZMI PAGAN PSIKOLOGJIA Prejardhja e kalendarit Proteina RA SHQIPERIA STONHENXHIT Tokën Trashëgimia e Stonhenxhit Tutankamunit Varri i Neferitit Vitaminat Yndyra aids albert-ajnshtajni ari bigbengu bime dashuri demaskimit të tradhtisë dimesione dimesioni 4 dimesioni11 egjiptologji elektrodinamik element element-kimik emocional feja feja e ilireve feja islame ne shqiperi feja katolike feja ne shqiperi feja ortodokse historia e zhvillimit i trurit kanada mister kanceri klonimi klonimi i njeriut klonimi kafsheve klonimi ne bote koha kuantike lindja e universit magjia mason mbretëresha egjiptiane metale mineralet mitologji mjalti mjeksia natyra ndryshimi mendore neferiti ormus papati perdorimi-i-mjaltit platini produkte prometeik relativiteti semundje shikimi mendore substanca syri3 teknologji templar teorit-fizike univers paralel ushqime me proteina ushqyerit vdekja vetit-ushqyese

Labels