Nuk është askush t’i dëgjojë lutjet tuaja. Lutja juaj është
monolog;
lutjuni qiellit të zbrazët: Mbajeni në mend – askush nuk ka për të ju
shpërblyer shkaku i lutjeve tuaja. Po e ditët vërtet se ç’ është lutja, atëherë
vetë lutja është shpërblimi i vetvetes. Askush tjetër nuk ka për të ju
shpërblyer; shpërblimi nuk është në ardhmëri, e as në jetën tjetër.
Por lutja është vetvetiu aq e bukur saqë kush do ta çante
kokën për ardhmërinë dhe kush do ta kishte dert për shpërblimin? Mendimi për
shpërblimin, në të vërtetë është lakmi. Lutja vetvetiu është aso kremtimi, ajo
sjell aso gëzimi dhe aso ngazëllimi, saqë njeriu lutet shkaku i vetë lutjes.
Nuk lutet nga frika, e as nga lakmia. Njeriu lutet sepse kënaqet në lutje.
Krejt një për të, madje, se a ka Perëndi apo nuk ka.
Perëndia është mjet i cili ju ndihmon të luteni.
Po u mësuat njëherë të luteni, harroni çdo gjë mbi
Perëndinë. Vetëm lutja është e mjaftueshme – më se
e mjaftueshme.
Kur kënaqeni në vallëzim, a pyetni, vallë, se a ka Perëndi
apo nuk ka. Kur kënaqeni në vallëzim, thjesht vallëzoni; s’e keni dert se a po
ju shikon dikush nga qielli apo nuk po ju shikon. S’e keni dert për atë se
yjtë, Dielli e Hëna do të ju shpërblejnë shkaku i vallëzimit tuaj. Vallëzimi
është shpërblim i mjaftueshëm vetvetiu. Po e dëshiruat këngën, këndoni; s’ka
rëndësi se a po ju dëgjon dikush apo jo?
Kështu është edhe me lutjen. Ajo është vallëzim e këngë; ajo
është muzikë dhe dashuri. Kënaquni në të dhe me këtë ajo përfundon. Lutja është
mjeti dhe lutja është qëllimi. Mjeti dhe qëllimi nuk janë të ndarë – vetëm
kështu e dini se çfarë është lutja.
Kur them LUTJA mendoj në hapjen ndaj Perëndisë. Nuk mendoj
se duhet diçka të thoni apo diçka të kërkoni, mendoj për hapje të pastër – nëse
Ai dëshiron diçka të ofrojë, jeni të gatshëm ta pranoni.
Kjo është pritja e madhe, por pa dëshira – kjo është ajo që
ju nevojitet. Pritja ngulmuese, e vullnetshme – sikur diçka ka për të ndodhur
çdo moment. Të trazuar jeni duke pritur se ka për të ndodhur diçka e panjohur,
por nuk keni kurrfarë dëshire të posaçme. Nuk mendoni se kjo apo ajo duhet apo
nuk duhet të ndodhë, posa që diçka kërkoni, lutja më nuk është e pastër.
Kur asgjë nuk kërkoni, kur mbeteni të qetë, por të hapur, të
gatshëm të shkoni kudo qoftë, të gatshëm madje edhe të vdisni, kur jeni vetëm
pranues, pasivë, të gatshëm të pritni e të pranoni, atëherë ndodh lutja.
Lutja nuk është diçka që mund të bëhet, ajo nuk ka kurrfarë
lidhjeje me punën. Ajo nuk është as akt as aktivitet – ajo është gjendje e
mendjes.
Po deshët të flitni, flitni; por mbajeni në mend se fjalët
tuaja nuk kanë për të ndikuar në ekzistencën. Ato do të ndikojnë në ju, e kjo
mund të jetë mirë, por lutja nuk ka për të ndikuar në Perëndinë. Ajo mund të ju
ndryshojë juve, por nëse ju nuk ju ndryshon, atëherë është pa kuptim. Mund të
luteni me vite, por nëse kjo nuk ju ndryshon, ndërpriteni, hidheni, ajo është
pleh, mos e bartni më tej.
Lutja nuk do ta ndryshojë Perëndinë. Gjithnjë mendoni se me
lutjen do të ndikoni në Perëndinë. Se do të jetë më i butë, i prirur që të
marrë anën tuaj. Nuk ekziston askush që do të ju dëgjonte. Ky qiell i pafund
nuk mund të dëgjojë. Ky qiell i pafund mund të jetë me ju, nëse ju jeni me të –
kjo është mënyra e vetme për t’u lutur.
Unë po ashtu ju propozoj që të luteni, por lutja thjesht
duhet të jetë fenomen energjetik; jo raport midis Perëndisë dhe atij që lutet,
por fenomen energjetik.
0 σχόλια:
Post a Comment