Friday, 31 May 2013

PSIKIATRIA DHE RELIGJIONI - FREUDI DHE RELIGJIONI

Sigmund Freud ka lindur në një familje çifute, në qytetin kryesisht katolik Freiburg, Moravi (regjion historik i Çekisë). Gjatë tërë jetës së tij, Freudi bëri përpjekje që ta kuptojë religjionin dhe spiritualitetin, ku shkroi disa libra përkushtuar kësaj teme,
duke përfshirë edhe librat “Totem dhe Tabu” (1913), “E ardhmja dhe iluzioni” (1927), “Civilizimi dhe të pakënaqurit me të” (1930), si dhe “Mojsiu dhe monoteizmi” (1938).
Freudi besonte se religjioni ishte shprehje e neurozave psikologjike dhe e ankthit të nënvetëdijshëm. Në shkrime të ndryshme të tij, ai sugjeronte se religjioni ishte një përpjekje për kontrollimin e Kompleksit të Edipit, një mjet për strukturizimin e grupeve sociale, një plotësim i dëshirave, një deluzion infantil dhe një përpjekje për ta kontrolluar botën e jashtme.

Trashëgimia çifute e Freudit

Edhe pse ai ishte shumë i sinqertë rreth ateizmit të tij dhe mendonte se religjioni ishte diçka që duhej të tejkalohej, Freudi ishte i vetëdijshëm rreth ndikimit të fuqishëm të religjionit në identitet. Ai vërejti se trashëgimia e tij çifute, si dhe antisemitizmi me të cilin shpesh ballafaqohej, kishin ndikuar në formësimin e personalitetit të tij. "Gjuha ime është gjermanishtja. Kultura ime, të arriturat e mia, janë gjermane. E konsideroja veten gjerman në aspektin intelektual, derisa vërejta rritjen e paragjykimeve antisemitike në Gjermani dhe Austri. Që nga ajo kohë, preferoj që veten time ta quaj çifut", shkruante Freud në vitin 1925.

Religjioni sipas Freudit

"Religjioni është një iluzion, që e merr fuqinë e vet nga fakti që përputhet me dëshirat tona instinktive." - Sigmund Freud, “Leksione të reja hyrëse në psikanalizë”,1933.
"Religjioni mund të krahasohet me një neurozë fëmijërie." - Sigmund Freud, “E ardhmja e një iluzioni”, 1927
"Religjioni është një përpjekje që të kontrollohet bota sensorike, ku jemi vendosur, me anë të botës së dëshirave, të cilën e kemi zhvilluar brenda nesh, si rezultat i nevojave biologjike dhe psikologjike”. – Sigmund Freud, “Mojsiu dhe monoteizmi”, 1939

Freudi, kritik i religjionit

Nga “Psikologjia e grupit dhe analiza e egos” (1921)

"Një religjion – edhe nëse e quan veten religjion të dashurisë, duhet të jetë i rreptë dhe jo-dashamirë ndaj atyre që nuk janë pjesëtarë të tij."

Nga “E ardhmja e një iluzioni” (1927):

"Njohuritë tona rreth vlerës historike të doktrinave të caktuara religjioze e rrisin respektin tonë për to, por nuk ia humbin vlerën propozimit tonë që ato duhet të mos konsiderohen si shkaqe për rregullat (normat) e civilizimit. Përkundrazi! Ato mbeturina historike na kanë ndihmuar që t’i trajtojmë mësimet fetare si relikte neurotike dhe ne nuk duhet të debatojmë rreth asaj se me gjasë ka ardhur momenti, ashtu si në tretmanin analitik, për zëvendësimin e efekteve të represionit me rezultatet e operacioneve racionale të intelektit."

Nga : "Civilizimi dhe të pakënaqurit me të” (1930):

"E tërë kjo është qartë shumë infantile, kaq e huaj për realitetin, sa që për të gjithë njerëzit me një qëndrim miqësor ndaj njerëzimit, është e dhembshme të mendohet se shumica e njerëzve kurrë nuk do të jenë në gjendje që të ngritën përtej kësaj pikëpamjeje të jetës. Është edhe më poshtëruese të zbulosh numrin e madh të njerëzve që jetojnë sot, që shohin mirë se religjioni nuk është i bazuar (qëndrueshëm) dhe, përkundër kësaj, përpiqen që ta mbrojnë atë pjesë për pjesë, në një seri të veprimeve të mjera.."
"Religjionet e ndryshme kurrë nuk janë ngritur mbi rolin që luan ndjenja e fajit në civilizim. Për më tepër, ato dalin me pohimin... e shpëtimit të sojit njerëzor nga kjo ndjenjë e fajit, të cilën ata e quajnë mëkat."

Kritika historike e religjionit nga Freudi

Kritika e religjionit nga Freudi ishte në dy takte: psikologjike dhe historike.
Në rastin e parë, ai u përpoq që t’i identifikojë shkaqet psikologjike bazë për veprimet dhe idetë religjioze. Në rastin e dytë, ai u përpoq që t’i gjurmojë ato ide religjioze deri te ngjarjet e identifikueshme, specifike historike. Përderisa në rastin e parë mund të thuhet se bëhet fjalë për një metodë të logjikshme, për rastin e dytë mund të thuhet se është treguar jo bindës.
Taktika e mëvonshme e aplikimit të teorisë së psikanalizës në antropologji dhe religjion, është shtjelluar mirë në librin “Totem dhe tabu” (1913), por edhe në atë me titull “Mojsiu dhe monoteizmi” (1938). Që të dy librat dinë të jenë mjaft spekulativë. Një problem i veçantë ishte se Freudi nuk bazohej në teoritë evolutive të Darvinit, por në idetë e diskredituara të Lamarkut. Freudi besonte se ngjarjet primare (primitive), kanë lënë “gjurmë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit."
Vetë libri “Mojsiu dhe monoteizmi” nga shumë konsiderohet si njëri nga librat më pak bindës të Freudit. Përpos problemeve në lidhje me bindjet e Lamarkut, ky libër ka edhe shumë të meta historike, të cilat janë tepër të shumta, që të mund të numërohen të gjitha.
Freudi kishte tendencë të gjeneralizimit nisur nga një bazë e pamjaftueshme e informatave faktike, kur bëhej fjalë për çështjet e tilla historike. Libri “Mojsiu... ”, solli në një vend shumë tema që hasen gjithandej në veprat e Freudit: kompleksin edipal, marrëdhënien e pasuesve me liderin e tyre, si dhe rolin e neurozës në religjion dhe kulturë.
Sikur çifutët, po ashtu edhe të krishterët, reaguan me përbuzje ndaj këtij libri. Çifutët, natyrisht se ishin të skandalizuar nga sugjerimet e Freudit se Mojsiu ishte vrarë nga ithtarët e tij çifutë, si një lloj përsëritje e vrasjes primitive (primordiale) të babait, një temë e eksploruar më gjerë në librin “Totem dhe tabu”. Reagimet negative të të krishterëve kishin të bënin kryesisht me pohimet e Freudit rreth sakrificës së Jezu Krishtit:
Si mundet dikush i pafajshëm për vrasje që të jetë në gjendje ta marrë fajin e vrasësve mbi supet e veta, duke lejuar që të vritet edhe vetë? Në realitetin historik, në kontradiktë e tillë nuk ekziston. “Shpaguesi” (anglisht: "redeemer") nuk mund të jetë askush tjetër, përpos kryefajtori, lideri i bandës vëllazërore që e kanë mposhtur babanë.
Ashtu sikur që judaizmi ishte religjion i babait, ashtu krishterimi u bë një religjion i birit.

Freudi, ateizmi dhe judaizmi

Freudi e kishte atë fat që të mësonte nga profesorë të shkëlqyeshëm, të cilët nuk pranonin shpjegime mbinatyrore dhe metafizike për fenomenet natyrore. Nga viti 1876 deri në vitin 1882, ai u mor me kërkime në Institutin Psikologjik nën drejtimin e Ernst Brücke, një autoriteti ndërkombëtar i cili, me kolegët e tij, anonte kah ideja që të gjitha proceset psikologjike përfundimisht mund të shpjegohen në kuadër të fizikës dhe kimisë. Kështu, konceptet religjioze dhe popullore “vitaliste” ishin larguar nga kërkimet bazike biologjike.
Freudi gjithmonë ishte një jobesimtar i papenduar. Edhe pse shumë njerëz e dinë se një gjë të tillë ndikoi në formimin e psikiatrisë, janë të paktë ata që dinë se sa shumë i angazhuar kundër religjionit ishte ai – meqë religjionin e konsideronte si pengesë për maturimin dhe inteligjencën njerëzore.
Në një letër, Freud shkruante se “As në jetën private, e as në shkrimet e mia, kurrë nuk kam mohuar se jam një mosbesimtar."
Në ateizmin e tij kishte edhe një qëndrim paksa militant, gjë që vërehet në sharjen e Zotit dhe religjioneve kur ai ishte i ri.
Në vitin 1873, Freud i shkruante një miku se: "Askush nuk ka shpikur ende një fener për rrugët e errëta të Zotit." Kjo aludon në të marrin e Nietzsche-s, i cili bredhte rrugëve me fener në dorë, duke kërkuar Zotin – dhe duke mos e gjetur. Sa i përket Freudit, nuk ishte ateizmi ai që duhej (kishte nevojë) të shpjegohej, por religjioni.
Është interesant të thuhet se, përkundër faktit që Freudi kurrë nuk praktikoi judaizmin dhe i konsideronte të gjitha besimet fetare si të natyrës iluzore, ai besonte se suksesi i tij përfundimtar kishte të bënte me faktin që ai ishte çifut. Ai ishte i vetëdijshëm rreth trashëgimisë së tij çifute, kishte pak miq në mesin e jo-çifutëve dhe ishte pjesëmarrës i rregullt i takimeve të organizatës çifute “B'nai B'rith”.
Bile, ai nuk pranoi kurrfarë kompensimesh për përkthimet e veprave të tij në gjuhët Jidish (Yiddish – variant i hebraishtes) dhe hebraisht.
Gjatë karrierës së tij, Freud disa herë modifikoi apo revizionoi idetë e tij, por gati gjithmonë për shkak të bindjeve të tija, e jo si rezultat i kritikave nga të tjerët. Kur arrinte ndonjë konkludim, ai e mbronte atë me jotolerancë dhe kokëfortësi, gjë që ndikoi në marrëdhënie mjaft të këqija midis tij dhe shumë kërkuesve të tjerë shkencorë.
Derisa mund të ishte shumë tolerant ndaj dobësive dhe gabimeve të pacientëve të tij, ai nuk ishte aq tolerant ndaj ideve të reja të studentëve të tij.

Religjioni si deluzion

Sigmund Freud është një figurë e dalluar e historisë së mendimit njerëzor. Njerëzimi ka vuajtur nga tri parime kryesore të narcizmit: besimit se ne jemi në qendër të gjithësisë (universit); besimit se ne jemi qendër/qëllim i natyrës dhe besimit se ne gjithmonë jemi “të zottë e shtëpisë sonë”. Koperniku, Darvini dhe Frojdi, asnjëri prej tyre nuk ishin të parët që i kanë përdorur këto nocione, por emrat e tyre do të mbesin përherë të lidhur me progresin nga narcizmi kah dituria.

I lindur më 6 maj, 1856 në Freiberg, i shtyrë nga ‘lakmia për dituri’, Freud kishte shkuar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Vjenës, jo duke shpresuar që të bëhet një mjek konvencional, por për të bërë kërkime filozofike-shkencore rreth disa nga enigmave më të mëdha të natyrës së njeriut.
Share:

0 σχόλια:

Post a Comment

Powered By facebook.com

syri3. Powered by Blogger.

Categories

SHKENCA MISTIKA FILOZOFI HISTORI MEDITIME RELIGJONE fizika gastronomia KRISTIAN PARAPSIKOLOGJIA Universi gjenetika ushqime ushqime te shendeteshme ushqime-bio EZOTERIZEM Egjipt Enigma HËNA MENDJA MIRQENIEN MENDORE RACA NJERËZORE SKENDERBEU TOKA TRURI energjia forca e trurit galaktikat ideologjia krishterimi makrobiotika misteri shkenctaret shëndet syri-trete syritrete Ajnshtajn Anikunit Atomet BIMËT NË SHËRBIM TË NJERIUT Bota Islame EZOTERIK Egjiptit të lashtë Elektronet FITOTERAPIA FLIJIMI Flijimi i virgjëreshave Fshati që u zhduk Gjergj Kastrioti HIEROGLIFET Jeta KALENDAR KASTRIOTET KULTURË SHQIPTARE Karbohidratet Kodi i Da Vinçit Lashtësia Luleshurdha Mjedise OKULTE OKULTIZMI PAGAN PSIKOLOGJIA Prejardhja e kalendarit Proteina RA SHQIPERIA STONHENXHIT Tokën Trashëgimia e Stonhenxhit Tutankamunit Varri i Neferitit Vitaminat Yndyra aids albert-ajnshtajni ari bigbengu bime dashuri demaskimit të tradhtisë dimesione dimesioni 4 dimesioni11 egjiptologji elektrodinamik element element-kimik emocional feja feja e ilireve feja islame ne shqiperi feja katolike feja ne shqiperi feja ortodokse historia e zhvillimit i trurit kanada mister kanceri klonimi klonimi i njeriut klonimi kafsheve klonimi ne bote koha kuantike lindja e universit magjia mason mbretëresha egjiptiane metale mineralet mitologji mjalti mjeksia natyra ndryshimi mendore neferiti ormus papati perdorimi-i-mjaltit platini produkte prometeik relativiteti semundje shikimi mendore substanca syri3 teknologji templar teorit-fizike univers paralel ushqime me proteina ushqyerit vdekja vetit-ushqyese

Labels