edukata seksuale |
EDUKIM SEKSUAL E SHËNDETËSOR
Mendimtarët e kohës
janë përpjekur ta çlirojnë njeriun nga tabut e pafund të hipokrizisë mesjetare.
Duke u nisur nga pikëpamjet se çdo gjë njerëzore nuk është e turpshme, ata e
kanë trajtuar dashurinë, martesën dhe jetën seksuale si gjë të natyrshme duke
kërkuar nga të gjithë të pamartuarit që të martohen. Leonardo da Vinçi theksonte se vetë natyra është mësuesi
i gjeniut të vërtet. Kështu dashuria dhe problemet e tjera jetësore u bënë
objekt i krijimtarisë artistike dhe femra nuk quhej më djallëzore, por stolia më e madhe e jetës dhe
e botes...
Shkolla hinduiste e
dashurisë, duke studiuar të ashtuquajturat “rregulla të dashurisë”, jep një
thesar të vyer të të fshehtave të dashurisë dhe erotikës të bazuar në rëndësinë
e njohjes së tyre të thellë për fatin e njerëzor. Qëllimi i kësaj shkolle të
erotikës është që duke i harmonizuar temperamentet në marrëdhëniet seksuale, ta
bëjë njeriun të lumtur në jetë e në dashuri. Për arritjen e tyre u jepej
rëndësi njohjes së thellë të anatomisë, fiziologjisë, por gjithmonë në
mbështetje të bazës psikologjike të dashurisë. Po kështu, në Greqinë antike,
marrëdhëniet martesore dhe jeta seksuale gjithnjë e më shumë kanë qenë një nga
veprat më të rëndësishme të poetëve, artistëve, dhe shkencëtarëve të atëhershëm
të cilët, në veprat dhe në krijimtaritë e tyre, janë përpjekur ta pasqyrojnë
esencën e atyre fenomeneve që shfaqen në fushën e seksualitetit njerëzorë. Edhe
në Romë jeta seksuale dhe përjetimet e këndshme seksuale ishin e drejtë e
patjetërsueshme e mashkullit dhe femrës dhe nuk kufizoheshin me asgjë.
Megjithatë, shpesh
mungesa e dijeve të sakta shkencore në fushën e anatomisë, fiziologjisë së
sferës seksuale, etj., ka lejuar spekulime të shumta dhe përhapjen e njohurive
të gabuara të cilat në shumë raste shpalleshin si shkencore. Kështu në disa
vende mendohej se harxhimi i spermës shkakton disa sëmundje të tilla si
gonorreja, epilepsia dhe mjaft sëmundje psikike. Sperma konsiderohej pjesa e
trurit dhe e palcës kurrizore dhe harxhimi i saj mendohej si “shterim i tyre”.
Nuk njihej roli i hormoneve dhe i gjëndrave hormonale dhe as përbëja e spermës
nga qelizat që prodhohen dhe ripërtërihen vazhdimisht gjatë jetës te meshkujt.
Në mjaft raste, për t’i shëruar njerëzit nga epilepsia dhe sëmundje të tjera
psikike përdorej tredhja. Në disa vende akti seksual ndëshkohej rreptë me
burge. Këtu e ka bazën edhe mendimi i gabuar që ndeshet edhe sot në ndonjë rast
sikur ekziston një limit maksimum i numrit të akteve seksuale, “harxhimi” i të
cilave sjell pasoja.
Por,
marrëdhëniet e vjetra konzervative e tradicionale synojnë ti kundërvihen
çlirimit te femrës e ta kufizojnë atë si dikur vetëm në familje dhe në punët e
shtëpisë, duke e konsideruar atë, thjesht si mjet të domosdoshëm për krijimin e
familjes dhe kënaqësisë seksuale. Gjithashtu, puritanizmi kërkon kthimin prapa
të femrës ne kohe, që gruaja përsëri të mbyllet në shtëpi e veshur me fustan të
gjatë e të zi dhe të izolohet nga të
gjitha rrjedhat shoqërore. E keqja është se edhe idealet e asketizmit nuk e
kanë humbur forcën e tyre edhe në kohën e sotme. Me ta lidhen shumë paragjykime
e pikëpamje të rreme të cilat bëhen shkak për lindjen e konflikteve,
fiksicioneve e neurozave të ndryshme seksuale që në mjaft raste lëkundin
ekuilibrin e sistemit nervor dhe ndikojnë negativisht në gjendjen shpirtërore
dhe shëndetësore të njerëzve. Këtu i ka rrënjët edhe tabuja seksuale e cila nuk
lejon njohjen dhe propagandimin e problemeve të edukatës dhe të jetës seksuale.
Ende ka njerëz që e
vulgarizojnë jetën seksuale, duke e shikuar atë si çështje të shkëputur nga
psikika në tërësi ose, thjesht, si çështje teknike a si shkathtësi. Këto
mendime ndikojnë negativisht në kulturën dhe në jetën seksuale, sepse njerëzit
nuk kuptojnë se sfera e ndjenjave dhe e përjetimeve seksuale është shumë e
lidhur me ndjenjat e larta dhe me kërkesa të tjera njerëzore, si: dashuria,
shmangia e punëve të rënda apo situatave lënduese, si dhe me synime për
stabilizimin e jetës dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për jetesë, etj.
E keqja është se
pikëpamjet e gabuara përhapen jo vetëm nga të ata persona te painformuar ose të
keqinformuarit, por edhe njerëz të inteligjencës, ndonjëherë edhe nga edukatorë
ose punonjës të shëndetësisë, të cilëve u takon ti arsimojnë të tjerët në këtë
fushë. Habit fakti se me gjithë arritjet e shkencës mjekësore, përsëri
vazhdojnë të përhapen edhe sot pikëpamje të vjetruara për fiziologjinë e jetës seksuale, të cilat shpesh shkaktojnë
shqetësime psikike ose gjendje depresive. Vëzhgimet tregojnë se ende ekziston
mendimi i gabuar i shterimit fiziologjik i cili në mjaft raste tremb, jo vetëm
të rinjtë që preferojnë onanizmin, por edhe disa të porsamartuar me ndjeshmëri
e potencë të lartë seksuale të cilët dëshirojnë kontakte seksuale të shpeshta
gjatë jetës bashkëshortore. Kështu, frika se mos dëmtohet shëndeti dhe potenca
seksuale, i detyron ata të përqendrojnë vëmendjen në mënyra të tepruara në
planifikimin e dendësisë dhe akteve seksuale duke e kthyer atë në neurozë
seksuale. A do të ndodhte kështu në fakt po të dihet një gjë fare e thjesht se
spermatozoidet janë qeliza që prodhohen dhe ripërtërihen vazhdimisht te
meshkujt e eliminimi i tyre, herë pas here, nuk harxhon ndonjë rezervë të
përcaktuar.
Gjithashtu, ende disa
femra i shqetëson koncepti i gabuar për jetën seksuale normale, duke e quajtur
atë si diçka të turpshme, gjë që i pengon të shfaqin ndjenjat e të shijojnë
kënaqësinë e plotë seksuale . Shpesh mungesa e kulturës seksuale bëhet shkak
për konflikte dhe trauma të rënda psikike, të cilat dëmtojnë, jo vetëm pasionin
seksual normal, por edhe personalitetin e njeriut dhe karakterin e tyre.
Përhapjen e kulturës
seksuale e pengojnë dhe disa njerëz të paedukuar mirë, të cilëve u pëlqen të
tregojnë anekdota banale dhe vulgare, të përqeshin ndonjërin me disa shaka
banale sipas disa paragjykimeve pa asnjë bazë shkencore. Përhapja e gjerë e
gënjeshtrave ose e paragjykimeve të ndryshme për seksin është tregues i
injorancës dhe njëkohësisht si mungesës e propagandës për kulturën seksuale.
Kjo përbën edhe një provë tjetër që tregon se ka qenë dhe është e domosdoshme
të flitet për kulturë dhe për jetën seksuale. Por tabuja shekullore dhe
paragjykimet anakronike, të cilat e ruajnë ende forcën e tyre, kanë bërë që të
injorohen këto probleme deri në atë shkallë sikur ato të mos ekzistonin fare.
Nuk ka përse të quhet e turpshme të flitet për diçka kur ajo është e
domosdoshme, madje jetike.
Edukata seksuale ka
lidhje me jetën seksuale, me vetë seksin. Seksi është një dukuri reale
objektive me fillesë biologjike natyrore pa të cilën nuk mund të ketë
vazhdimësi të jetës. Por, njeriu mbi shtratin biologjikë është formuar, para së
gjithash, si qenie shoqërore. Krahas themelit biologjikë, jeta seksuale
njerëzore ka marrë edhe pamje shoqërore, shpirtërore, etike, psikologjike,
estetike, pedagogjike etj. Prandaj, seksin si të tillë e në lidhje me të dhe
edukatën seksuale e studiojnë jo vetëm pedagogët e psikologët, por edhe
fiziologët e sidomos mjekët të cilët duhet ta gjejnë veten me mirë në këtë
lloje fushë.
0 σχόλια:
Post a Comment